Sektori i turizmit aventuror në Kosovë po zgjerohet me ritme të qëndrueshme, por për një kohë të gjatë është përballur me një pengesë të fshehtë: projektimi, instalimi dhe mirëmbajtja e aktiviteteve në lartësi janë varur pothuajse tërësisht nga ofrues ndërkombëtarë të specializuar. Kjo varësi ka rritur kostot për operatorët vendorë dhe ka kufizuar transferimin e njohurive teknike thelbësore, të nevojshme për ta bërë turizmin aventuror të sigurt dhe të qëndrueshëm. Ndërtimi i një sektori rezilient kërkon ekspertizë të fortë vendore — njerëz dhe kompani që kanë aftësinë të ofrojnë shkathtësi dhe shërbime të nevojshme brenda vendit. Në vitin 2023, ky boshllëk filloi të zvogëlohet me themelimin e IDE Cert Sh.p.k. në Prishtinë nga Mirlinda dhe Shpetim Lajqi. Si ofruesi i parë vendor i certifikuar i shërbimeve teknike për turizmin aventuror në Kosovë, IDE Cert prezantoi një model të ri të ekspertizës së bazuar në vend. Shpetim Lajqi, profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës, solli me vete kualifikime të specializuara si Inspektor i Certifikuar i Litarëve të Çelikut, i akredituar nga institucione ndërkombëtare të njohura si Ropes Course Solutions, ERCA dhe IAPA. Kjo siguroi që IDE Cert të ofrojë shërbime që përmbushin standardet më të larta globale të sigurisë dhe cilësisë.
Përmes Fondit të Inovacionit, FEGO, Swisscontact mbështeti IDE Cert në sigurimin e pajisjeve dhe mjeteve të specializuara të nevojshme për t’i shërbyer plotësisht sektorit. Përtej forcimit të një kompanie të vetme, ky partneritet kishte për qëllim të adresonte një sfidë sistemike, duke fuqizuar kapacitetet vendore, duke mundësuar transferimin e njohurive dhe duke krijuar themelet për një turizëm aventuror të qëndrueshëm, të sigurtë dhe me cilësi të lartë në gjithë Kosovën. Rezultatet tashmë janë të prekshme. IDE Cert tani mund të ofrojë shërbime teknike të plota për objektet e turizmit aventuror, duke siguruar përputhje me standardet më të rrepta të sigurisë. Investimi pritet gjithashtu të krijojë 3–4 vende të reja pune me bazë projektesh gjatë dy viteve të ardhshme, duke stimuluar më tej ekonominë lokale. Duke mbështetur ofrues lokalë të certifikuar si IDE Cert, projekti FEGO po ndërton një sektor të turizmit aventuror më të fortë dhe më të pavarur në Kosovë. Kjo nismë tregon se si mbështetja e synuar dhe praktike mund të krijojë ndryshime të qëndrueshme — duke përmirësuar sigurinë, cilësinë dhe qëndrueshmërinë, ndërkohë që forcon gjithë ekosistemin e shërbimeve turistike vendore.
Projekti Nxitja e Punësimit dhe Mundësive të Rritjes (FEGO) synon të nxisë zhvillimin e sistemeve gjithëpërfshirëse të tregut në Kosovë për të gjeneruar vetëpunësim në sektorët e veshjeve, mobiljeve dhe turizmit rural. Financuar nga SIDA, implementuar nga Swisscontact.